LajmeMaqedonia e Veriut

Prokuroria harron rastin e Xhevat Ademit (VIDEO)

Ende asnjë epilog për plagosjen e të riut Ardian Bilalli në Reçice të Vogël. Për këtë vepër dyshohet deputeti i BDI-së Xhevat Ademit. Ndonëse rasti ndodhi më 30 korrik të vitit të kaluar, lënda është ende në procedurë hetimore. Sot në prokurori u thirr vetë i plagosuri Ardian Bilalli. Pas daljes nga prokuroria, Bilalli u ankua se rasti i tij po zvarritet pa ndonjë arsyetim.

“Që prej gati një viti, ne thirremi në prokurori rregullisht por epilog nuk merr lënda. Rasti jonë vetëm zvarritet. Gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria, evidente është se nuk thirren dëshmitarët e duhur, por thirrën dëshmitarë të tjerë të cilët realisht edhe nuk e kanë parë rastin. Edhe pse dorasi dihet sepse e kam parë me sytë e mi, pres nga prokuroria që të zbardhë rastin si duhet dhe të mos e zvarrit lëndën tonë”, thotë i plagosuri Ardian Bilalli.

Bilalli gjithashtu thotë se ka dorëzuar emrat e dëshmitarëve në Prokurori, por siç thotë ata nuk janë thirrur asnjëherë për të dëshmuar.

“Se kush janë dëshmitarët real, prokuroria e di, dhe ne i kemi dorëzuar emrat e tyre në prokurori, por asnjëherë nuk janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre. Shpresoj se kjo letër, do të arrijë edhe në vesh të atyre që thirren në emër të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, që të mos mbrojnë krimin dhe dorasit e tij”- shton i plagosuri Ardian Bilalli.

Televizioni Alsat i drejtoi pyetje Prokurorisë themelore të Tetovës dhe asaj Republikane për këtë rast, por nuk morën asnjë përgjigje. Heshtje të plotë edhe nga Sektori i Punëve të brendshme të Tetovës. Kohë më parë, në një deklaratë për Alsat prindi i të plagosurit Ardin Bilalli, akuzonte zyrtarin e lartë të BDI-së Xhevat Ademi, se kishte plagosur të birin e tij.

“Kam qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes dhe e kam vërejt tërë situatën me sytë e mijë. Xhevat Ademi si deputet në atë aheng ka gjuajtur me pistoletë- tha Jusuf Bilalli, Prindi i të plagosurit.

Xhevat Ademi nga ana tjetër kishte konfirmuar se ka qenë prezent në aheng por mohoi të ketë gjuajtur me armë zjarri.

Bashkim Sulejmani

Burimi in7.

Më shumë

Artikuj të ngjajshëm

Back to top button
Close
Close
%d bloggers like this: