Sat. Dec 5th, 2020

Mirënjohjen punonjës i arsimit të vitit për vitin shkollor 2019/2020 e fituan profesorët Shtefica Ujçik nga Kumanova, Dobri Jovevski nga Kriva Pallanka, Marjan Radeski nga Ohri dhe pedagogia Marinela Bosheva nga Shkupi.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, duke u uruar mësimdhënësit të cilët me punën e tyre, kreativitetin, inovacionin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve të përfshirë në arsim shkollor dhe parashkollor kanë lënë gjurmë të veçantë, uroi që ata të mbesin edhe më tej të motivuar për punë dhe kreative.

“Ju uroj që të jeni frymëzim për shumë gjenerata të rinjsh dhe shembull për kolegët. Unë personalisht jam e bindur që kemi shumë mësimdhënës të tillë në vend. Kam takuar shumë prej tyre personalisht dhe pashë tek ata dëshirë për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor dhe në krijimin e gjeneratave që do të garantojnë një të ardhme të mirë për vendin tonë”, tha Carovska në ndarjen e mirënjohjeve.

Veçanërisht është e rëndësishme në kushte pandemie që punëtorët e arsimit të mos tregojnë dobësi dhe pafuqi, por me tërë kapacitetin e tyre të angazhohen që procesi edukativo-arsimor të zhvillohet pandërprerë edhe në rrethana të jashtëzakonshme siç nuk kemi pasur asnjëherë deri më tani.

“Prandaj punëtorët e arsimit janë hallka më e rëndësishme në arsimin. Si Ministre e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdoj të luftoj për përparim të dinjitetit të profesionit mësimdhënës dhe secili që ka zgjedhur të bëhet mësimdhënës i fëmijëve tanë ta fitojë edhe vendin të cilin e meriton”, theksoi ministrja Carovska.

Lidija Nikollovska-Georgievska, Kryetare e Lidhjes të punëtorëve të arsimit theksoi se ky çmim ndahet në mënyrë tradicionale çdo vit, ndërsa e fitojnë mësimdhënës edhe punëtorë tjerë të arsimit të cilët kanë kontribut të rëndësishëm në arsimin dhe edukimin e fëmijëve.

“Përzgjedhjen e fituesve e bën Lidhja. Në fakt, vetë punëtorët e arsimit vendosin se kujt do t’ia ndajnë mirënjohjen”, tha Nikolovska-Georgievska.

Në takimin u theksua se çdo zgjidhje në arsim krijohet përmes qasjes gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrje e të gjitha palëve të interesuara, duke përfshirë edhe mësimdhënësit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetje të punëtorëve të arsimit do të vazhdojë edhe në periudhën para nesh, sepse me motivimin personal dhe dëshirën për punë të secilit mësimdhënës më së shumti varet se çfarë gjenerata do të krijojmë.

Burimi in7.

By